Fule “harron” Shqipërinë

14/05/2013 22:50

Komisioneri europian për Zgjerimin, Stefan Fule, gjeti vendin më të mirë për të ritheksuar rëndësinë e tre kritereve të famshme të Kopenhagenit, që kushtëzojnë rrugën e Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të procesit të zgjerimit, drejt shndërrimit në një vend europian.

Në kryeqytetin e Danimarkës, gjatë konferencës “20 vite që ndryshuan Europën”, Fule veçoi tre aspekte kyçe: kushtëzimin, ndikimin dhe rëndësinë e vazhdueshme të kriterit politik, ekonomik dhe atij të përshtatjes me legjislacionin europian.

“Sot, megjithëse kushtet për zgjerim mbeten të njëjtat, mënyra se si ne i zbatojmë ato është zhvilluar, bazuar në mësimet e nxjerra nga zgjerimet e mëparshme. Kemi rritur fokusin ndaj mënyrës së qeverisjes dhe sundimit të ligjit, reformës në administratën publike dhe ndaj luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar”, nënvizon komisioneri, ndër të tjera, në fjalimin e tij.

Në lidhje me dëshmitë se nuk ka lodhje nga zgjerimi, por lodhje nga reformat, Fule renditi ato vende, që ditën të përfitojnë në pak kohë nga procesi i zgjerimit.

“Dallga e tanishme e zgjerimit jep dëshmi madhështore për fuqinë shndërruese të kushtëzimit, ndërthurur me perspektivën e qartë europiane. Kroacia, e trazuar nga konflikti i pak kohëve më parë, do t’i bashkangjitet Bashkimit Europian më 1 korrik. Bisedimet për anëtarësim kanë nisur me Malin e Zi. Serbia dhe Kosova arritën një marrëveshje historike, që iu shtron rrugën për të përparuar vendosmërisht drejt perspektivave të tyre europiane. Ndërsa në Turqi, BE mbetet një spirancë kyçe për risitë demokratike”, dëshmoi Fule.

Vendet, që nuk përmenden në fjalimin e komisionerit, janë vendet ngelëse për arsye të ndryshme, si Islanda, Maqedonia dhe Shqipëria. Në lidhje me vendin tonë, që prej vitit 1993, kur “lindën” kriteret e Kopenhagenit, e deri më sot, dëshmia e kushtëzimit, ndikimit dhe rëndësisë së vazhdueshme të këtyre kritereve, shpjegohet me faktin se edhe pas 20 vitesh, Shqipëria ndodhet, përveç plotësimit të kushteve, një palë zgjedhje të lira dhe të ndershme, larg të qenit minimalisht vend kandidat, drejt shndërrimit në një vend europian.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA