Eurozona, takim për Greqinë e Qipron

13/05/2013 15:20

Ministrat e Financave të vendeve të Eurozonës u takuan të hënën në Bruksel, me qëllim miratimin e këstit të radhës të huave që mbajnë “gjallë” ekonominë greke dhe atë qipriote.

Përsa i përket Qipros, vendi ishullor pret të marrë këstin prej 3 miliardë eurosh, një paketë për të cilën u ra dakord më parë gjatë vitit.

Ministrat presin të diskutojnë edhe mbi këstin e radhës për Greqinë, që do t’i akordohet vendit nëse gjykohet se një paketë reformash të vendosura si kush më parë janë zbatuar në mënyrën e duhur.

Nëse kjo do të ndodhë, Athinës do t’i akordohen 7,5 miliardë euro, pjesë e “superhuasë” me vlerë totale prej 240 miliardësh, që iu akordua fqinjit tonë jugor në vitin 2010.

Pa kredinë europiane, Greqia nuk mund të paguajë pensionet, pagat e administratës apo të shlyejë borxhet, duke qenë e detyruar që të shpallte falimentimin.

Takimi pritet që të ketë në vëmendje edhe Slloveninë, një nga anëtarët “e mbytur” në borxhe dhe të përfshirë prej tre vitesh në recesion.

Megjithatë, pavarësisht gjendjes delikate të financave sllovene, Ljubjana ka refuzuar që të shtrijë dorën, duke shpallur javën e shkuar një plan rritje taksash dhe shkurtimesh, që sipas autoriteteve do të bëjë të mundur shmangien e dorëzanisë.

Top Channel