“Beteja për hapësirën”, Linux mposht Windows

13/05/2013 00:00

Microsoft ka humbur betejën me Linux për qendrimin në hapësirë. Windows, sistemi operativ i kompanisë së Bill Gates nuk do të jetë më tek kompjuterat e dorës dhe ata të tavolinës në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar.

Ky vendim u njoftua nga Aleanca e Bashkuar e Hapësirës. Shoqëria që drejton dhe mirëmban infrastrukturën kompjuterike në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar, njohur shkurtimisht si ISS, tha se ka hequr dorë nga Windows XP dhe në vend të tij do të operojë me Linux Debian 6, një sistem operativ “open source”, thënë shqip i hapur për modifikime.

Arsyet e këtij ndryshimi janë 3, dy janë cituar në deklaratën publike, dhe janë siguria dhe qendrueshmëria e sistemeve,  ndërsa e treta sqarohet nga Keith Chuvala, zyrtar i Aleancës së Bashkuar të Hapësirës.

“Kemi nevojë për një sistem operativ ku të kemi kontrollin absolut në mënyrë që kur të kemi nevojë për një modifikim të jemi në gjendje ta realizojmë vetë atë”, tha ai.

Windows dhe sistemet e tjera, përjashto Linux, është e pamundur t’i modifikosh, përvecse është edhe e jashtëligjshme. Kodet e Windows janë sekret dhe ato janë pronë e Microsoft, ndryshe nga Linux që i jep falas për të gjithë përdoruesit e tij.

Sa i përket sigurisë së Windows XP askush nuk habitet kur themi se lë shumë për të dëshiruar. Në pikun e vet, ky version ishte i instaluar në 8 nga 10 kompjutera. Popullariteti i tij e bënte akoma më të ekspozuar ndaj thyerjes së barrierave të sigurisë, ndërsa sot është akoma më vulnerabël ndaj sulmeve dhe viruseve për shkak se është një sistem i vjetër për të cilin Microsoft nuk nxjerr më përditësime.

Heqja dorë prej Windows-it dhe përqafimit të Linux nuk duhet të habisë askënd, madje as vetë Bill Gates. Para Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar, një hap të tillë e kanë marrë shumë organizata dhe institucione kërkimesh shkencore që duan që puna e tyre të mos sabotohet. NASA i beson Linux, SpaceX i beson Linux, po ashtu edhe CERN në Zvicër, por edhe dhjetra institucione të tjera kërkimore.

Top Channel