“Assad të largohet nga politika”

13/05/2013 23:50

Presidenti amerikan, Barack Obama dhe kryeministri britanik, David Cameron, ranë dakord të shtojnë presionin ndaj presidentit sirian, Bashar al Assad, me qëllimin e vetëm; largimin e tij nga skena politike.

Pas takimit në Shtëpinë e Bardhë, dy udhëheqësit garantuan mbështetjen për popullin e Sirisë.

“Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të shtuar presionin ndaj regjimit të Assad-it, për të garantuar ndihmë humanitare, për të forcuar opozitën e moderuar dhe për të përgatitur Sirinë demokratike, pa Bashar al Assad-in”, tha Obama.

“Nuk do të ketë progres politik, deri kur opozita të jetë në gjendje t’i bëjë ballë sulmeve dhe të ushtrojë presion kundër Assad, kësisoj ai duhet të kuptojë që nuk ka fitore ushtarake. Ne do të shtojmë përpjekjet tona për të mbeshtetur dhe konturuar opozitën e moderuar. Britania po nxit më shumë fleksibilitet të embargos së BE-së për armët dhe do të dyfishojë mbështetjen për opozitën siriane vitin e ardhshëm”, tha Cameron.

Si SHBA, ashtu edhe Britania e Madhe, kanë folur për shtimin e fakteve për përdorimin e armëve kimike, përfshirë edhe gazin sarin. Presidenti amerikan, Barack Obama, ka paralajmëruar se “kjo mund të shënojë vijën e kuqe, çka mund t’i hapë rrugën ndërhyrjes ushtarake në Siri”.

“Ndërkohë, ne do të vazhdojmë të punojmë për të ngritur fakte rreth përdorimit të armëve kimike në Siri dhe këto fakte do të udhëheqin hapat e mëtejshëm”, shtoi Obama.

“Askush nga ne nuk ka ndonjë interes për të parë më shumë jetë të humbura, për të parë përdorimin e armëve kimike apo dhunën ekstremiste, që përhapet më tej”, komentoi Cameron.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe do të punojnë së bashku, për të forcuar opozitën në Siri dhe për të krijuar një organizëm tranzicioni, për të zëvendësuar presidentin Bashar al Assad.

Sipas presidentit Obama, ky do të jetë qëllimi i takimit të Gjenevës, “javët e ardhshme”. SHBA fitoi mbështetjen e Rusisë për konferencën mbi Sirinë.

Prej nisjes së kryengritjes kundër presidentit Bashar al Assad, dy vjet më parë, të paktën 70 mijë persona besohet se janë vrarë, ndërsa 1,2 milionë njerëz po jetojnë jashtë Sirisë, si refugjatë.

Top Channel