Merr fund pengmarrja në SHBA

12/05/2013 20:50

Përfundoi pas 36 orësh pengmarrja e dy vajzave, 14 e 17 vjeç, dhe vëllait të tyre 4-vjeçar në Trenton të Nju Xhersit.

Përpara se të izolohej në shtëpi, pengmarrësi kishte vrarë nënën, 42 vjeç dhe vëllanë 13-vjeçar. 38 vjeçari që, sipas Nju Jork Post, vuante nga depresioni, u arrestua nga policia.

Të premten, rreth orës 15 me orën lokale, forcat e rendit ishin sinjalizuar se një person i armatosur mbante peng tre fëmijë, por, sipas CNN, mbetet e paqartë lidhja e tij me ta.

Autoritetet shpërngulën banorët, që jetonin në zonë, ndërsa policia u ndihmua nga skuadra e ndihmës së shpejtë SWAT për ta zgjidhur pa të tjerë viktima pengmarrjen.

Tragjedia në Kaliforni
Vëllai 12-vjeçar vrau motrën 8 vjeçe. Mashtroi policinë, por u zbulua

Vrasja e vajzës 8-vjeçare, Leila Fowler, në veri të Kalifornisë, më 27 prill, tronditi opinionin publik në Shtetet e Bashkuara. Por më shumë se ky lajm, zbulimi i autorit.

Fillimisht ishte folur për një të huaj, që kishte mundur të hynte në shtëpi, kur prindërit nuk ndodheshin aty. Vrasësi është vëllai i saj 12-vjeçar, emri i të cilit nuk është bërë publik, tashmë i arrestuar nga policia.

Kishte qenë ai, që i kishte dhënë dëshminë e parë FBI-së; për një të huaj, që kishte mundur të hynte në shtëpinë, ku ai po qëndronte bashkë me të motrën.

Por, dëshmia u rrëzua nga gjurmët e gishtërinjve dhe testi i ADN-së në dy thikat, me të cilat kishte kryer krimin.

Cunami në Minesota
Erërat e forta lëvizën copat e akullit drejt shtëpive. Dëme, por jo viktima

Mediat e cilësuan si një cunami me lëvizje të ngadaltë, atë çfarë ndodhi në brigjet e liqenit Mil Leks, në shtetin e Minesotas.

Erërat e forta zhvendosën copat e akullit, të cilat ngadalë iu afruan bregut dhe më pas pemëve, që ndodheshin në oborret e shtëpive aty pranë.

Nuk pati persona të plagosur, ndërsa njëra prej shtëpive pësoi dëme të vogla. Në disa zona, akulli arriti deri në 1 metër, duke krijuar imazhin e një copëze akullnaje, që  zhvendosej drejt bregut.

Shume prej banorëve filmuan fenomenin dhe publikuan videot në Youtube.

Top Channel