“Më shumë subvencion bujqësisë”

12/05/2013 11:20

Kryeministri Sali Berisha e kaloi të dielën në qarkun e Shkodrës, ku
janë investuar 560 milionë dollarë në ndërtim rrugësh, shkollash, qendra
shëndetësore, ujësjellësa dhe subvencionim fermerësh.

Duke vizituar plantacionet e reja të vreshtave dhe ullinjve në komunat Hajmel dhe Vig Mnellë, kryeministri premtoi jo vetëm rritjen e subvencioneve, që fermerët të rrisin prodhimin, por edhe ngritjen e sistemit kombëtar të vaditjes.

“Të shkulim çdo shkurre për të mbjellë një ulli apo një vresht, ne nuk kemi  tokë për shkurre dhe shkurret t’i kthejmë në dru frutore. Ne nuk kemi asnjë pëllëmbë tokë për të humbur”, tha Berisha.

Me ndërtimin e një rruge të re, banorët e komunës Vig Mnellë mund të lidhen shumë më shpejt me Shkodrën, që do të thotë se rriten më shumë mundësitë e daljes së prodhimeve të tyre në një treg më të madh.

Kryeministri Berisha thotë se, gjatë dy mandateve, Shqipëria ka ndryshuar më shumë se çdo herë tjetër dhe se, nga njëri mandat në tjetrin, pavarësisht vështirësive, investimet janë dyfishuar në të gjithë vendin.

Por, kryeministri Berisha kërkon besimin e shqiptarëve për një mandat tjetër, të cilin e konsideron vendimtar për zhvillimin e vendit.

“Sepse nuk kemi qëllim më madhor se sa punësimin tuaj, mirëqenien tuaj. Ne vijmë para shqiptarëve si forca politike, e cila u ka bërë të mundur qytetarëve shqiptarë të firmosin ndryshimet më të mëdha. Vijmë para së gjithash te ju, se 4 vitet që vijnë duam të bëjmë shumë më tepër për shqiptarët. Mandati i tretë do t’i ketë përmirësimet 3 herë më të mëdha se i dyti. Kollagjerët e krizës deklarojnë çdo maj dhe qershor se qeveria nuk ka parà, por ne, edhe këtë vit dhe çdo vit, do të rrisim rrogat  dhe pensionet”, shtoi Berisha.

Kryeministri Berisha e konsideron 23 qershorin, edhe si verdiktin e shqiptarëve për marrjen e statusin të vendit kandidat. Kryeministri thotë se procesi i integrimit u pengua qëllimisht nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, që me mosvotimin e tre ligjeve bllokoi fonde kolosale të Bashkimit Europian për Shqipërinë.

“Dhe këtë e di mirë kryeminstri i autobusit mavi, që ka zgjedhur një autobuz luksoz, ku është vetë shofer, vetë pasagjer dhe aty tjerr ëndrrën që nuk do t’i bëhet reale kurrë. Dhe në çdo gropë sheh një votë për t’u bërë kryeministër. Por, i them se n do të rindërtojmë çdo km rrugë”, tha Berisha.

Kryeministri Berisha ftoi qytetarët ta shndërrojnë fushatën elektorale në një debat të qytetëruar mes dy alternativave, duke i dhënë mbështetje projektit të Partisë Demorkatike, të cilin ai e konsideron si projektin që i duhet vendit për 4 vitet e ardhshme.

“Nuk është se kjo qeveri nuk ka dobësi, të meta, gabime. Janë të gjitha të vërteta, por ne kemi dëshmuar se kjo është një qeveri serioze, se ne bëjmë gjithçka për t’i qëndruar fjalës sonë. Aleanca e 1 prillit është aleanca e mashtrimit, trillimit dhe nihilizmit. Më 23 qershor të votojmë për tre ligjet, për më shumë rrugë, më shumë vende pune, pensione më të larta, rroga më të larta”, përfundoi Berisha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA