Turqi, bomba në kufi me Sirinë, 40 viktima

11/05/2013 00:00

Dy makina bombë kanë shpërthyer në qytetin turk të Rejhanlit, në afërsi të kufirit me Sirinë, duke vrarë të paktën 40 persona dhe plagosur rreth 100 të tjerë.

Ministri i Brendshëm turk, Muammer Guler ka deklaruar për televizionin lokal NTV se bombat shpërthyen në afërsi të qendrës së qytetit dhe zyrave postare.

Pamjet televizive treguan njerëz të plagosur që transportoheshin për në vende të sigurta pas dëmtimit të disa ndërtesave dhe ciflave të xhamave të makinave.

Për momentin asnjë grup nuk ka marrë përsipër sulmin, por një zyrtar turk ka folur për një përfshirje të mundshme të Sirisë.

“Dyshimet tona janë për Mukhabaratin, agjencia siriane e inteligjencës dhe organizatat e armatosura që planifikojnë sulme të tilla dashakeqe”, ka deklaruar zëvendëskryeministri Bulent Arinc.

Më vonë gjatë së shtunës, zëvendëskryeministri tjetër Besir Atalay ka thënë se hetimet parraprake tregojnë se atentatorët kanë qenë të lidhur me shërbimet sekrete siriane.

Reyhanli është një qytet kufitar ku kanë hyrë mijëra refugjatë që largohen nga lufta në Siri dhe banorët vendas, të irrituar, sulmuan makinat me targa siriane pas dy shpërthimeve.

Qeveria turke ka qenë një mbështetëse e rëndësishme e opozitës siriane dhe ka lejuar rebelët dhe refugjatët që të depërtojnë në territorin e saj.

Sekretari i përgjithshëm i NATO, Anders Fogh Rasmussen ka dënuar sulmin duke e cilësuar atë si “të neveritshëm” dhe ka deklaruar se organizata i qëndron pranë Turqisë, si një vend anëtar i Aleancës.

Ndërkohë, disa orë pas shpërthimeve fillestare, u raportua për një shpërthim të tretë në një zonë të banuar, por qeveria tha se ishte çisterna e një makine që kishte shpërthyer dhe se nuk kishte lidhje me sulmet e mëparshme.

Top Channel