Gjenerali i policisë serbe dhe komandanti i xhandarmerisë, Bratisllav Dikiç ka qëndruar të shtunën në veri të Mitrovicës.

Sipas mediave serbe, gjatë vizitës në Dikiç ka ecur drejt barrikadës mbi urën e lumit Ibër dhe është përshëndetur me kalimtarë të rastit.

Mësohet se gjenerali ka kërkuar nga serbët e veriut që të mos e pengojnë vizitën e zëvendëskryeministrit serb, Aleksandër Vuçiç.

Ndryshe, ata që do të shkaktojnë incidente do të burgosen sapo të futen në Serbi, njoftojnë mediat beogradase.

Serbët e veriut kundërshtojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se ajo i vë nën autoritetin e Prishtinës zyrtare.

Në Mitrovicën veriore ata kanë vendosur postera kundër zëvendëskryeministrit Vuçiç, i cili ka paralajmëruar një vizitë në këtë zonë më 12 maj, për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes.

Në posterat e vendosur në muret e ndërtesave shfaqet Vuçiç me një qeleshe në kokë, tipike e shqiptarëve, si dhe mbishkrimi “Nuk je i mirëseardhur”.

Një ditë më parë serbët e veriut të Kosovës protestuan në Beograd kundër marrëveshjes së Brukselit. Manifestimi nisi fiks në orën 12:44, për të simbolizuar Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.

Në Sheshin e Republikës u mblodhën disa mijëra njerëz, të cilët mbanin parulla me mbishkrimet “Kosova është Serbi” dhe “Kosovë do të të çlirojmë”.

Top Channel