Egjipt, shmanget sulmi ndaj ambasadave

11/05/2013 16:20

Policia egjiptiane ka arrestuar tre militantë të Al Kaedës, që po planifikonin një sulm vetëvrasës ndaj një ambasade perëndimore.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Brendshëm, Mohammed Ibrahim, i cili gjithësesi nuk ka saktësuar se cila ambasadë ishte nën shënjestër.

Megjithatë, ai ka sqaruar se një sasi e konsiderueshme lëndësh kimike është sekuestruar dhe se të arrestuarit kishin në plan të vepronin në Kajro dhe Aleksandri.

“Gjatë operacionit janë sekuestruar 10 kg material eksploziv, një kompjuter me informacione për prodhimin e bombave dhe një USB me të dhëna për të prodhuar raketa. Plani i militantëve ishte në fazat finale të tij”, ka deklaruar ministri.

Tre të dyshuarit, të përshkruar si xhihadistë, kishin qenë në kontakt me militantë të tjerë në gadishullin e Sinait dhe kishin bërë stërvitje në kampet terroriste në Pakistan dhe Iran.

Top Channel