Egjipt, rinisi proçesi ndaj Mubarak

11/05/2013 00:00

Rinisi në Kajro proçesi gjyqësor i ish-presidentit egjiptjan Hosni Mubarak, i akuzuar për bashkëpunim në vrasjen e protestuesve janarin e vitit 2011.

Mubarak u dënua qershorin e vitit të kaluar, por apeloi vendimin. Televizioni shtetëror, që i transmetoi pamjet e gjyqit drejtpërdrejtë, tregoi ish-kreun e shtetit të hynte në sallë me barelë.

Rigjykimi filloi në një atmosferë tensionesh dhe emocionesh të mëdha, aq sa gjykatësi u detyrua t’i kërkonte avokatëve të mos bërtisnin më.

Prokurori i çështjes më pas lexoi një listë akuzash ndaj zotit Mubarak dhe personave të tjerë që po gjykohen bashkë me të, të cilët u deklaruan të pafajshëm.

Gjyqtari tha se azhornimi i seancës ishte i nevojshëm për të shqyrtuar informacionin e ri të prezantuar nga pala e akuzës. Seanca gjyqësore u mbajt në një sallë të akademisë së policisë egjiptiane, në rrethinat e kryeqytetit Kajro.

Top Channel