Serbët e veriut të Kosovës kanë protestuar paraditen e së premtes në Beograd kundër marrëveshjes së Brukselit.
Sipas raportimeve të mediave serbe, në Sheshin e Republikës janë mbledhur disa mijëra njerëz, të cilët kanë mbajtur parulla me mbishkrimet “Kosova është Serbi” dhe “Kosovë do të të çlirojmë”.
Sipas burimeve, manifestimi ka nisur fiks në orën 12:44, për të simbolizuar Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.
Serbët e veriut kundërshtojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se ajo i vë nën autoritetin e Prishtinës zyrtare.
Ndërkohë, në Mitrovicën veriore, banorët serbë kanë vendosur postera kundër zëvendëskryeministrit serb Aleksandar Vuçiç, i cili ka paralajmëruar një vizitë në këtë zonë më 12 maj për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes.
Në posterat e vendosur në muret e ndërtesave shfaqet Vuçiç me një qeleshe në kokë, tipike e shqiptarëve, si dhe mbishkrimi “Nuk je i mirëseardhur”.
Top Channel