Sakrifikon jetën për të shpëtuar të dashurën

10/05/2013 14:00

Një 30-vjeçar humbi jetën, duke u përpjekur që të shpëtonte të dashurën e tij tre vjet më të re, gjatë një incidenti tragjik të ndodhur në Australi ditën e enjte.

Ndërsa zhdukja e çiftit Paul Rossington-Kristen Schroder në fillim u trajtua si enigmatike, policia mundi të rindërtonte ngjarjen, e cila tashmë ka një shpjegim.

Çifti i lumtur kishte vendosur që të realizonte disa ditë pushim në një kryqëzor, por gjatë rrugës së kthimit, teksa mbahej në një ndër parmakët e anijes, Kristen humbi barazpeshën dhe ra jashtë tragetit në det.

Pa u menduar dy herë, Rossington nuk u vonua për të kërkuar ndihmë, por u hodh pas të dashurës që nuk dinte not, me shpresën se do të ishte në kohë për ta shpëtuar.

Disa prova të mbetura në vendin ku u konsumua tragjedia, në parmakun nga i cili Kristen ra në det, vërtetojnë sipas policisë këtë version.

Në kabinën e tragetit, lajmi për zhdukjen e të rinjve u mësua vetëm pas 12 orësh, kur pas mbërritjes, u pa se ata i mungonin listës së udhëtarëve.

Një operacion kërkimi për trupat e tyre është duke u zhvilluar pranë brigjeve të Sidneit, ndërsa ekspertët përjashtojnë që në kushtet aktuale të detit dhe temperaturat e ulta (në Australi është dimër), ata të jenë ende gjallë, edhe nëse i kanë mbijetuar impaktit me ujin.

Një histori sa prekëse aq edhe tronditëse, por të paktën, Rossington e Schroder mbërritën në fundin e jetës së tyre të prerë tragjikisht në mes ashtu siç kishin ëndërruar, të dy së bashku, si në ato novela e filma që kanë frymëzuar ndër shekuj sa e sa të dashuruar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA