
Pavarësisht kundërshtimeve të forta e të vazhdueshme të opozitës dhe
shoqërisë civile, Qeveria Berisha e bën fakt të kryer dhënien me qira të
objekteve të trashëgimisë kulturore në vend, si kala apo vende me
karakter historik.
Deputeti socialist Auron Tare e denoncoi këtë veprim duke e quajtur një rrënim që po i shkaktohet trashëgimisë së pazëvëdësueshme kulturore.
“Dje Qeveria e rrënimit, nëpërmjet ministrit të Kulturës, vendosi të nxjerrë në treg edhe monumentet e kulturës dhe trashëgimisë kombëtare.Kjo përpjekje e kahershme për dhënien me qira të pasurive shpirtërore të shqiptareve përkon tashmë me ikjen nga pushtetit të partisë familjare të Berishës.Pasi shiti çdo pasuri natyrore, pasi dha çdo kodër për fabrika çimentosh dhe gurore; pasi shiti çdo pyll për qymyr; pasi dha me koncesion çdo lum për hidrocentrale, sot Sali Berisha po shet edhe monumentet e kulturës kombëtare”, tha Tare.
Zoti Tare i dërgoi një mesazh paralajmërues të gjithë atyre që do të përfshihen apo kanë interesa biznesi me këtë objekte.
“Me gjithë përpjekjet e Shoqërisë civile dhe specialistëve të fushës për ta ndaluar këtë veprim jo logjik dhe shumë të dëmshëm për trashëgiminë kulturore, është publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare vendimi i cili do ta rradhisë ministrin e Kulturës dhe vetë Kryeministrin në ikje, në rreshtin e atentatorëve ndaj trashëgimisë kulturore.Partia Socialiste ju bën thirje të gjithë atyre që të joshur nga këto orvatje të fundit të Qeverisë për të blerë një grusht votash edhe me Monumentet Kombëtare, se pas fitores së datës 23 qershor nuk do të njohim asnjë marrëveshje të lidhur në dëm të interesave të trashëgimisë kulturore”, tha Tare.
Pas 23 Qershorit ne do të bëjmë të mundur, premtoi Auron Tare, që të gjitha monumentet tona të kulturës, jo vetëm të mbrohen dhe të restaurohen, por edhe të vihen në shërbim të turizmit kulturor dhe në dobi të komuniteteve kudo që ato ndodhen.
PD: Rama shkatërroi trashëgiminë kulturore
Partia Demokratike ka reaguar ndaj akuzave të PS për dëmtimin e trashëgimisë kulturore, duke akuzuar direkt kryetarin Rama për shkatërrimin e tyre.
Në një deklaratë për mediat, deputeti Gerti Bogdani ka deklaruar se, gjatë kohës që drejtonte bashkinë e Tiranës, Rama ka dëmtuar monumentet e kulturës duke dhënë leje ndërtimi për klientët e tij.
“Sot Edi Rama shpalosi shpifjen e radhës nga salloni mavi, që kishte të bënte me trashëgiminë kulturore. Të gjithë qytetarët e Tiranës e dinë që Rama s’ka bërë asgjë për trashëgiminë kulturore kur drejtonte bashkinë.
Përkundrazi, ai ka shkelur vendimin e Këshillit të Ministrave numër 180, të datës 13/04/2000, për shpalljen monument kulture të aksit kryesor të qendrës historike të Tiranës. Rama e kishte shkelur këtë vendim kur ishte ministër i Kulturës, por e shkeli në mënyrë më flagrante kur drejtonte bashkinë.
Ai e bëri këtë duke shkatërruar kinema “Republikën”, kinema “17 Nëntorin”, kinema “Ali Demin”, të gjitha për të dhënë leje për pallatet e klientëve të tij, sipas stilit Rama-Kokëdhima, si dhe për kullat e Fidel Yllit”, ka deklaruar Bogdani.
Top Channel