Në krye të misionit të vëzhguesve të ODHIR do të jetë një eksperte amerikane e zgjedhjeve, që shkon në një linjë me shqetësimin e rritur dhe publik të SHBA për proçesin e 23 qershorit.
Conny McCormack njihet për angazhimin mbi 25-vjeçar dhe ka kontribut të spikatur veçanërisht në përmirësimin e legjislacionit zgjedhor, konkretisht për çështjen e regjistrimit dhe verifikimin e votuesve.
Ky specializim mesa duket ka qenë dhe përcaktues për dërgimin e misionit të saj në krye të misionit vëzhgues në Shqipëri, ku këto problematika kanë qenë jo thjesht të pranishme, por edhe ndikuese në rezultatin zgjedhor.
Por pavarësisht se ekspertja amerikane do jetë në krye të misionit afatgjatë, raporti final hartohet nga misioni afatshkurtër i vëzhguesve, që është nën vartësinë e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, e cila kryesohet nga austriaku Wolfgang Grossruck.
Ai është i njohur për mbështetjen ndaj Partisë Demokratike dhe i anatemuar nga opozita si personi që ndikon në raportet përfundimtare për të zbutur problemet e zgjedhjeve shqiptare. Grossruck ka deleguar në krye të misionit të vëzhguesve afatshkurtër për zgjedhjet e 23 qershorit në Shqipëri mikun e tij Roberto Batelli.
Deputeti slloven me origjinë italiane prej dy mandatesh mban postin e shefit të Thesarit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe dyshimet për afërsinë mes tij dhe Grossruck shtohen pasi Batelli ka vizituar në vitin 2010 Shqipërinë dhe është deklaruar pro raportit dhe vlerësimeve të Grossruck për zgjedhjet e 2009-ës në Shqipëri, që i konsideroi të rregullta.
Mbështetjen për raportin e Grossruck, Batelli e ka bërë edhe publike në faqen zyrtare të OSBE-së, pas vizitës dhe takimit me kryeministrin Berisha në atë kohë. Pikërisht Roberto Batelli është caktuar si personi që do të paraqesë raportin paraprak të zgjedhjeve në datën 24 qershor.
Për vëzhgimin e garës elektorale të 23 qershorit në Shqipëri, OSBE-ODIHR ka vendosur të sjellë një numër relativisht të lartë vëzhguesish afatshkurtër dhe afatgjatë, rreth 430 të tillë.
Top Channel