
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, duke folur nga
Shkodra, ku prezantoi kandidatët e kësaj force politike për këtë zonë të
Shqipërisë, kërkoi konsensus për miratimin e tre ligjeve, që kërkohen nga Brukseli,
brenda këtij mandati të Parlamentit dhe hyrjen e tyre në fuqi, me nisjen e
punës së legjislativit të ri.
“Ka disa ditë që unë në emër të LSI-së kam propozuar një kompromis për miratimin e tre ligjeve në Kuvend brenda këtij mandati, duke kërkuar si kompromis hyrjen e tyre në fuqi me Parlamentin e ri dhe arsyeja ka të bëjë me faktin se nuk mjafton vetëm të miratojmë ligjet, por edhe të respektojmë frymën e tyre. Bëhet fjalë për reforma shumë të rëndësishme, por në mënyrë të vecantë për zbatimin e ligjit për Gjykatën Administrative”, tha Meta.
Kreu i LSI u shpreh se kompromisi i propozuar prej tij është pranuar nga kreu i PS-së, ndërsa shprehu zhgënjimin për qëndrimin e Kryeministrit Sali Berisha.
“Pres nga Kryeministri një përgjigje pozitive për propozimin e LSI-së. Integrimin nuk e duam për vete, por për të gjithë qytetarët e këtij vendi. E ftoj Berishën që të ngrihet mbi interesat e ngushta mbi përllogaritjet e 23 qershorit dhe t’i thotë po tre ligjeve”, tha Meta.
Top Channel