Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj po pret që në
takimin e radhës mes Kryeministrave Hashim Thaçi e Ivica Daçiç të
arrihet pajtimi për planin zbatues sa i përket marrëveshjen së arritur
më 19 prill në Bruksel.

Në të kundërtën, kryediplomati Hoxhaj paralajmëron se Kosova do të shtrijë autoritetin ligjor dhe kushtetuese në veri të vendit.

“Nëse Serbia e bllokon hartimin dhe zbatimi e një plani të tillë, ne në çdo formë, në çdo mënyrë do ta shtrijmë sovranitetin tonë në veri. Prandaj, është më se e rëndësishme që Serbia ta kuptoj që pajtimi rreth planit zbatues dhe mbi të gjitha zbatimi i tij është në interes të saj dhe të rajonit”, ka thënë Hoxhaj.

Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje para tri javësh për të ndryshuar gjendjen në veri, por deri më tani nuk ka pasur asnjë hap drejt zbatimit të saj. Qytetarët në Veri nuk janë pajtuar të zbatojnë marrëveshjen, ndërkohë liderët në Beograd kanë dhënë vetëm deklarata se pajtimi i arritur në Bruksel do të shkoj deri në fund.

Sidoqoftë, Ministri i Jashtëm i Kosovës thotë se pa zbatimin e marrëveshjes nga ana e Serbisë, rruga e Beogradit drejt BE-së do të mbetet e bllokuar.

Top Channel