Horrori në SHBA, vërtetohet atësia

10/05/2013 00:00

Testi i ADN-së konfirmoi se Ariel Kastro, personi i akuzuar për mbajtjen e tre grave të reja peng, prej më shumë se një dekade në Ohio të Shteteve të Bashkuara, është babai i vajzës 6-vjeçare të shpëtuar së bashku me to.

Ndaj 52-vjeçarit është ngritur padi për rrëmbimin dhe përdhunimin e Amanda Berry-t, 23-vjeçares Gina de Jesus dhe Michelle Knight-it, 32 vjeçe.

Vajzën e tij e solli në jetë 27-vjeçarja Berry, pikërisht ajo që arriti të jepte alarmin të hënën, duke bërë të mundur edhe shpëtimin e të tjerave. Prokurorët në Ohio kanë në plan t’i shtojnë listës së akuzave për Kastron, edhe atë të vrasjes me paramendim, çka mund t’i sjellë dënimin me vdekje.

Kjo akuzë do të lidhet me abortimet e njërës prej viktimave të tij, pasojë e dhunës së ushtruar me qëllimin, që t’i humbiste fëmijët. Michelle Knight rrëfeu se Kastro e kishte lënë 5 herë shtatzënë e paskësaj, e kishte qëlluar me shkelma në bark dhe e linte qëllimisht pa ngrënë, në mënyrë që të mos i çonte dot shtatzanitë deri në fund.

Prokurori Tim McGinty pohoi për mediat se 52-vjeçari, ky rrëmbyes fëmijësh, siç e quajti ai, kishte krijuar një dhomë torture dhe një burg privat brenda shtëpisë së tij.

Dorëzania prej 8 milionë dollarësh e lë në burg ish-shoferin e një autobuzi shkolle, i cili do të mbahet në izolim e do të jetë njëkohësisht nën mbikqyrje, se mos përpiqet të vrasë veten.

Sipas CBS Neës, Kastro i ka pranur krimet e tij në një letër të gjatë me shkrim dore, të gjetur brenda në shtëpi, që sipas hetuesve mund të jetë nisur si letër vetëvrasjeje.

Në shënimin që daton në 2004-n, Kastro tregon se është përdhunuar në fëmijëri nga ungji e është abuzuar edhe nga prindërit. Edhe pse e përshkruan veten “si një predator seksual”, ai kërkon t’ia dhurojë të gjitha paratë, pas vdekjes, viktimave të tij.

E ëma e 52-vjeçarit, ndërkohë, Lilian Rodriguez, e cilësoi djalin e saj “si të sëmurë mendor” dhe kërkoi faljen e vajzave të rrëmbyera prej tij.

Top Channel