Instituti Demokracia në Veprim kërkon të respektohet rezoluta e Kuvendit të Kosovës, e cila parashikon krijimin e më shumë zonave zgjedhore dhe që zgjedhja e presidentit të bëhet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga populli.

Po kështu, kërkohet që të arrihet sa më shpejt një konsensus mes subjekteve politike dhe që reforma zgjedhore të kthehet në axhendën parlamentare.

Sipas KDI, duke pasur parasysh parregullsitë që kanë ndodhur në zgjedhjet e kaluara, zgjedhjet do të duhej të mbaheshin në javën e fundit të shtatorit, ose javën e parë të tetorit. Çdo shtyrje e ditës së zgjedhjeve do të kishte ndikim në raundin e dytë të zgjedhjeve, pasi ato mbahen 4 javë më pas.

“Ndaj, DNV i bën thirrje presidentes që në përputhje me kompetencat e saj kushtetuese të shpallë ditën e zgjedhjeve në këtë afat kohor. DNV kërkon nga partitë politike që të emërojnë persona të kualifikuar nëpër komisionet komunale zgjedhore dhe këshillat e vendvotimit, pasi legjislacioni në Kosovë nuk i përcakton në mënyrë të qartë kualifikimet që duhen përmbushur nga këta persona”, ka deklaruar Shqipe Pantina nga instituti Demokacia në Veprim.

Drejtuesit e këtij insituti po ashtu i bënë thirrje KQZ-së që të vazhdojë përgatitjet për zgjedhjet lokale, duke u bazuar në ligjin dhe rregullat e vjetra, të rrisë efikasitetin e punës për organizimin e zgjedhjeve dhe të mos aprovojë komisionerë të pakualifikuar apo ata të cilët janë të dënuar apo të hetuar për parregullsi në zgjedhjet e kaluara.

Sipas zyrtarëve të Demokracia në Veprim, kjo organizatë është duke u përgatitur për monitorimin e zgjedhjeve lokale, duke zgjeruar rrjetin me organizata partnere lokale, por edhe ndërkombëtare.

Top Channel