SHBA, varroset i dyshuari për sulmet e Bostonit

09/05/2013 21:50

Autori i dyshuar për atentatit në maratonën e Bostonit, Tamerlan Tsarnaev është varrosur një një vend të mbyllur, kanë bërë të ditur autoritetet në Masaçusets.

Trupi i Tsarnaev nuk është më kështu në varrezat tradicionale të qytetit, thuhet në një komunikatë të policisë lokale. Tsarnaev u vra gjatë gjuetisë për kapjen e tij pas atentateve me bombë që vranë 3 persona dhe plagosën mbi 260 të tjerë.

Autoritetet ishin përpjekur të gjenin një komunitet që do ta pranonte trupin e të riut, por kudo ai ishte refuzuar. Dhjetëra protestues manifestuan javën e kaluar në varrezat e Uorçesterit, ku fillimisht ndodhej trupi i Tsarnaev.

“Si pasojë e apelit publik për ndihmë, një individ kurajoz bëri përpara dhe ofroi asistencën e duhur për një varrim të saktë”, thotë komunikata e policisë.

Në deklaratë gjithashtu falenderohet komuniteti që mundësoi vendin e varrimit, por nuk saktësohet se për cilin lokalitet bëhet fjalë.

Tsarnaev dhe vëllai i tij Dzhokhar akuzohen se vendosën dy bomba pranë vijës së finishit të maratonës së Bostonit më 15 prill. Pasi u qëllua në një shkëmbim zjarri me forcat speciale të policisë, Tsarnaev u braktis nga i vëllai që u arratis nga vendi i ngjarjes me një makinë.

Edhe Dzhokhar, pasi i mbijetoi një shkëmbimi zjarri me forcat e rendit, ndodhet në spitalin e një burgu, ku është marrë në pyetje nga agjentët e FBI-së.

Dy vëllezërit dyshohen gjithashtu se kanë qëlluar për vdekje një oficer policie dhe se kanë plagosur një tjetër, por natyrisht që akuzat do të rëndojnë mbi të mbijetuarin.

Familja e tyre është me etni çeçene myslimane dhe jetonte në emigracion në Shtetet e Bashkuara prej një dekade. Gjatë këtyre viteve, Tamerlan ishte tërhequr nga islamizmi radikal.

Bashkëshortja e tij Katherine Russell refuzoi të merrte trupin nga morgu i policisë, duke u lënë familjarëve të drejtën për tërheqjen e tij dhe organizimin e varrimit.

Top Channel