Serbia: Plani, brenda pak ditësh

09/05/2013 16:40

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç është shprehur optimist se plani për zbatimin e marrëveshjes së arritur me Kosovën do të miratohet së shpejti, sipas tij brenda 7 ose 10 ditësh.

Në një intervistë për gazetën “Veçernje Novosti”, Daçiç ka thënë me bindje se në gjysmën e dytë të qershorit Serbia do të nisë bisedimet për anëtarësimin në BE.

“Ne si shtet e kemi merituar plotësisht këtë. Kemi bërë gjithçka që është e mundur dhe që është dashur. Presim vetëm lajme të mira nga Brukseli”, ka thënë Daçiç.

Ai ka theksuar se pret që serbët në Kosovë, si në jug edhe në veri, të pranojnë në ditët e ardhshme realitetin se marrëveshja e arritur në Bruksel është në interesin e tyre më të madh.

Ndërkohë, presidenti serb Tomisllav Nikoliç ka deklaruar se, pas dështimit të raundit të dytë të bisedimeve për planin e zbatimit, gjithçka do të jetë më e vështirë.

Për dështimin Nikoliç ka fajësuar palën kosovare, duke thënë se në Bruksel nuk u pranua plani i saj që të harrohet tërësisht marrëveshja e 19 prillit.

Presidenti ka shtuar më tej se, Serbia duhet ta zbatojë sa më parë planin dhe iu ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që ta pranojnë atë.

Top Channel