Pakistan, “i japim fund luftës anti-terroriste”

09/05/2013 00:00

Personi, që pritet të bëhet kryeministri i ardhshëm i Pakistanit, Nawaz Sharif, premtoi se do t’i jepte fund përfshirjes së vendit në luftën e udhëhequr nga SHBA-të kundër terrorit, nëse fitonte.

Sharif tha se kjo lëvizje ishte e domosdoshme për vendin, në mënyrë që të rikthehet paqja në Pakistan dhe në shumë vende të botës. Pakistani ka qenë pjesë e luftimeve pro amerikane kundër militantëve islamikë në rajon, që prej sulmeve të 11 shtatorit.

Votuesit në Pakistan do t’i drejtohen kutive të votimit më 11 maj, pas një periudhe para-zgjedhore të penguar nga dhuna. Kjo është hera e parë në historinë e vendit, që një qeveri e zgjedhur do t’ia delegojë pushtetin një tjetër qeverije të zgjedhur.

Deklaratat e Sharif, lider i Ligës Muslimane të Pakistanit (PML-N), mund të shkaktojë shqetësime mes liderëve Perëndimorë, raportohet nga Islamabadi.

Ata frikësohen se kjo lëvizje mund të nxisë militantët të kenë më shumë liri për të operuar në Pakistan, teksa trupat e huaja priten të tërhiqen nga Afganistani në 2014-n.

Një nga pyetjet kryesore për Perëndimin është se si do t’i përballojë kryeministri i ri i Pakistanit militantët në vendin e tij. I pyetur nëse do ta nxirrte Pakistanin jashtë luftës kundër terroristëve, Sharif tha: “Po, do ta bëjmë”. Por, ai refuzoi të thoshte nëse do të ndalonte operacionet ushtarake kundër talebanëve dhe al-Qaeda-s. “Kjo është një cështje detajesh”, shtoi ai.

Manjati biznesmen, i cili ka shërbyer si kryeministër i Pakistanit dy herë gjatë viteve 1990, tha se dëshiron të punojë me vendet e tjera për të gjetur një marrëveshje për paqe afatgjatë në rajon. Ndërkohë, përpara zgjedhjeve, ka pasur të tjera raste dhune gjatë të mërkurës.

Të paktën 3 persona u vranë dhe 25 të tjerë u plagosën, përfshi 6 policë, në një atentat vetvrasës me bombë jashtë stacionit të policisë, në rajonin Bannu, në Pakistanin veri-perëndimor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB