Koretë, Park: Ribashkimi është i mundshëm

09/05/2013 00:00

E ardhmja e gadishullit korean varet nga përfshirja e SHBA-ve në procesin e paqes, tha presidentja e Koresë së Jugut, Park Geun-hye në një fjalim para Kongresit, të mërkurën.

Park tha se, pavarësisht tensioneve të fundit me Korenë e Veriut komunist, ribashkimi i Koreve është i mundshëm, edhe pse kjo gjë “duket e largët sot”.

“Veriu vazhdon të lëshojë kërcënime dhe provokime, duke lëshuar raketa me rreze të gjatë veprimi, duke zhvilluar teste bërthamore dhe duke minuar paqen në gadishull, madje edhe përtej tij”, tha Park. “Qeveria koreane ka reaguar me vendosmëri dhe me qetësi. Megjithatë, ne ruajmë nivele të larta gadishmërie”.

Dhe, për sa kohë që SHBA-të dhe Korea e Jugut ruajnë marrëdhëniet e forta mes tyre, Park tha: “Mund të qëndroni të sigurt, asnjë provokim i koreano-veriorëve nuk mund të ketë sukses”.

Që prej fundit të marsit dhe gjithë muajit prill, Korea e Veriut përshkallëzoi tensionet me SHBA-të dhe Jugun, duke lëshuar dhjetra deklarata armiqësore, ku paralajmëronte edhe luftë bërthamore me Jugun.

Së fundi, tensionet kanë filluar të ulen, pas faktit që, sipas zyrtarëve amerikanë, Veriu ka tërhequr dy raketa balistike të lëvizshme nga vendi i lëshimit në pjesën lindore të vendit.

Fillimisht, zyrtarë të Mbrojtjes amerikane thanë për CNN se lëvizja e raketave në zonë sinjalizonte se lideri i veriorëve, Kim Jong-un, po planifikonte të testonte lëshimin e raketave. Si kundërpërgjigje, SHBA-të dhe Japonia përforcuan sistemet mbrojtëse ndaj raketave në rajon.

Park tha se lëvizje të tilla nuk bëjnë asgjë për procesin e paqes. “Jam e bindur se besimi është rruga drejt paqes, rruga drejt një Koreje të bashkuar sërish”, tha ajo. “Republika e Koresë nuk do të pranojë kurrë një Veri zotërues të armëve bërthamore. Provokimet e Penjanit do të pengohen me vendosmëri”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB