Komisioneri i BE për Zgjerimin, Shtefan Fule ka deklaruar se, si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën, arritja e planit të zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit është e një rëndësie thelbësore.

“Plani i zbatimit është jashtëzakonisht i rëndësishëm, siç është e rëndësishme që Beogradi dhe Prishtina të fillojnë së lëvizuri drejt zbatimit”, ka thënë Fyle.

“Është me rëndësi në veçanti për Beogradin, sepse ekzistojnë pritje nga vendet anëtare që në fund të qershorit të hapen negociatat për anëtarësim dhe plani është vendimtar”, ka vijuar komisioneri në një intervistë për “REL”.

I pyetur nëse pas marrëveshjes për normalizimin e raporteve do të ketë lëvizje për njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së që nuk e kanë bërë këtë, Fule në mënyrë indirekte është shprehur optimist.

“Kjo është një pyetje që duhet t’iu adresohet atyre pesë shteteve. Besoj se secili hap në këtë rrugë të normalizimit do të merret seriozisht nga këto pesë shtete, për ta mbështetur kështu më shumë aspiratën e Kosovës për në BE”, ka shtuar Fule.

Bisedimet e ditës së dytë mes delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel u mbyllën pa marrëveshje. Mos arritja e një akordi për planin e zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit ka bërë që edhe për këtë çështje të rinisin negociatat në nivel kryeministrash.

Kreu i delegacionit të Prishtinës, Hajredin Kuçi fajësoi për këtë dështim palën serbe, e cila sipas tij kërkon që të trajtojë çështje që nuk përfshihen në marrëveshjen 15-pikëshe.

Sipas tij, disa nga çështjet në fjalë janë pasuria dhe pozicioni i Kishës Ortodokse Serbe, apo integrimi në pushtetin vendor i bashkësisë së komunave serbe.

Top Channel