Nigeri, militantët sulmojnë ushtrinë, 55 viktima

08/05/2013 16:30

Të paktën 55 civilë dhe ushtarë të ushtrisë nigeriane mbetën të vrarë, pasi militantët terroristë të “Boko Haramit” ndërmorrën një sulm të koordinuar në veri të Nigerisë, informuan të mërkurën mediat ndërkombëtare.

Këto viktima i shtohen një liste prej mijëra civilësh, ushtarësh dhe militantësh të vrarë në dy vitet e përballjeve të armatosura të Abuxhës zyrtare, me eksponentët e grupimit terrorist të lidhur ngushtësisht me Al-Kaedën.

Sipas informacioneve, disa brigada të “Boko Harram”-it sulmuan disa kazerma të ushtrisë në orët e para të mëngjesit, duke zënë në befasi ushtarët dhe shkaktuar dëme të mëdha edhe midis popullsisë civile në zonë.

Të paktën 105 eksponentë të organizatës terroriste, të cilët mbaheshin të burgosur në kazermat në fjalë u liruan pas këtij operacioni.

Korrespondentët e mediave ndërkombëtare thonë se ndërsa trazirat në veriun e vendit më të populluar të Afrikës janë bërë të zakonshme, shkalla e organizimit të “Boko Harram” dhe bilanci tragjik i këtij operacioni të ndërmarrë shënojnë një precedent tejet të rrezikshëm.

Njëkohësisht, sulmi i ndërmarrë prej militantëve hedh poshtë besimin se si rrjedhojë e disa operacioneve të ushtrisë, fuqia goditëse e “Boko Harram”-it ishte reduktuar.

Me 140 milionë banorë, Nigeria, një vend i pajisur me rezerva të shumta nafte, është shteti më i populluar i kontinentit afrikan.

Top Channel