Nigeri, Boko Haram sulmon qytetin

08/05/2013 00:00

Ekstremistët e Boko Haram sulmuan masivisht qytetin e Bamas në veri-lindje të Nigerisë duke shkaktuar të paktën 55 të vrarë.

Mes viktimave janë 22 policë, 14 roje burgu, dy ushtarë dhe 13 militantë ekstremistë islamikë.

Objektivi i sulmit të militantëve të Boko Haram ishte burgu u zonës ku mbaheshin të izoluar dhjetra radikalë. Nga sulmi janë liruar të paktën 105 prej tyre, një pjesë e dënuar me vdekje për aktivitetin e tyre terrorist në vend.

Sulmet e Boko Haram mbërrijnë pas publikimit të një raporti për abuzime me të drejtat e njeriut të ushtrisë nigeriane që lufton ndaj militantëve në veri të vendit.

Pamjet satelitore treguan për krime lufte. Mijëra shtëpive u është vënë flaka dhe janë shkatërruar tërësisht në operacionin e fundit ushtarak kundër rebelëve të Boko Haram. Operacioni u ndërmor në ditët e fundit të muajit prill.

Ushtria foli për rreth 80 persona të vrarë gjatë operacionit të saj, ndërsa korespondentët dhe mediat ndërkombëtare thonë se numri i të vrarëve shkon përtej shifrës 200 dhe pjesa më e madhe e tyre ishin civilë.

Top Channel