Shpërthen kamioni çisternë

07/05/2013 23:50

Një kamion çisternë i mbushur me gaz shpërtheu në një autostradë pranë Meksikos, duke vrarë të paktën 19 persona e duke plagosur gati 40 të tjerë.

Pamjet filmike tregojnë ndërtesat e dëmtuara në zonën e shpërthimit e bashkë me to, edhe automjete që ndodheshin në afërsi të kamionit.

Shoferi i tij është në spital, ku po trajtohet për lëndimet e marra, ndërsa policia pret ta marrë në pyetje.

Episodi i rëndë ndodhi rreth 14 kilometra në verilindje të kryeqytetit meksikan. Kamioni çisterne mendohet se po udhëtonte për në veri, kur u përplas me një mjet tjetër.

Mendohet se shtëpitë e dëmtuara nga shpërthimi janë të paktën 30, ndërsa makinat 20. Autoritetet lokale, që e konfirmuan bilancin e vdekjeve përmes rrjetit social Twitter, druhen se numri i viktimave mund të rritet akoma më shumë.

Disa prej tyre ishin në gjumë në banesat e zonave të varfra, që ndodhen shumë pranë rrugës. Ende nuk dihet se cili ka qenë shkaku i aksidentit, por sipas raporteve në media, të tilla ngjarje nuk janë një fenomen i pazakontë në vend.

Top Channel