SHBA, gjenden pas 10 vjetësh 3 vajza të humbura

07/05/2013 00:00

Tre gra të reja në moshë që ishin zhdukur për rreth një dekadë më parë në shtetin amerikan të Ohajos janë gjetur dhe janë dërguar në spital për të kontrolluar gjendjen shëndetësore të tyre.

Amanda Berry u zhduk në moshën 16-vjeçare në vitin 2003, ndërsa Gina De Jesus u zhduk në moshën 14-vjeçare një vit më vonë.

Këto të dyja dhe Michele Knight, 32, që u zhduk në vitin 2002 kur ishte vetëm 20 vjeç, janë gjetur në një shtëpi në qytetin e Klivlendit.

Tre vëllezër janë arrestuar në lidhje me çështjen, pasi dyshohen se i kanë mbajtur vajzat kundër vullnetit të tyre. Policia e Klivlendit deklaroi se të dyshuarit janë latinë, të moshave 50, 52 dhe 54 vjeç.

Xhaxhai i Gina De Jesus deklaroi se ato ishin të tronditura por shumë të gëzuara për lirimin. Ndërkohë që një mjek konfirmoi se tre gratë po mbahen në spital për mbikëqyrje.

Duke folur para një turme të ngazëllyer, ai shtoi se ato ishin në gjendje të flisnin me stafin e spitalit, por nuk dha detaje të tjera.

Korrespondentja e BBC, Jane Little deklaron se deri para pak kohësh mendohej se tre gratë kishin vdekur, ndërsa nëna e njërës prej tyre mendonte se vajza ishte kthyer në skllave. Të paktën njëra prej tyre është bërë nënë e një fëmije.

Në një deklaratë për policinë, të publikuar nga mediat, Amanda Berry e identifikoi rrëmbyesin e saj si Ariel Castro dhe tha se ishte arratisur nga shtëpia ku mbahej.

Berry tha gjithashtu se ishte ndihmuar nga një fqinj i shtëpisë ku mbahej e mbyllur, i cili shembi derën dhe më pas e ndihmoi vajzën të njoftonte policinë për dy vajzat e tjera.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA