SHBA, alarm nga spiunazhi kibernetik kinez

07/05/2013 00:00

Qeveria dhe ushtria e Kinës kanë vënë në shënjestër kompjuterët e qeverisë së Shteteve të Bashkuara, si pjesë e një aktiviteti spiunazhi kibernetik, thotë një raport amerikan.

Ndërhyrjet në sistemet elektronike kanë si synim mbledhjen e informacioneve mbi sektorët e diplomacisë, ekonomisë dhe mbrojtjes, që mund të përdoren nga vetë qeveria kineze.

Kjo është hera e parë që raporti vjetor i Pentagonit i lidh sulmet në mënyrë direkte me qeverinë e Pekinit. Nga ana e saj Kina i ka mohuar gjithmonë akuzat duke thënë se ajo vetë është viktimë e sulmeve të tilla.

Raporti kritikon gjithashtu mungesën e transparencës në programin për modernizimin e ushtrisë kineze dhe shpenzimet për sektorin e mbrojtjes.

“Në vitin 2012 sisteme të shumta kompjuterike në mbarë botën, përfshirë ata të qeverisë amerikane, u bënë shënjestër e sulmeve, disa prej të cilave i atribuohen direkt qeverisë dhe ushtrisë kineze”, thotë raporti i Departamentit të Mbrojtjes.

Sulmet kishin si qëllim nxjerrjen e informacioneve që mund të përdoren për përfitime nga industria kineze e mbrojtjes, industria e teknologjisë dhe planet ushtarake, vijon raporti.

Në të thuhet më tej se, kjo veprimtari është bërë tejet shqetësuese për shkak të aftësive që kërkojnë operacione të tilla.

Ndërsa Kina është dyshuar gjithmonë për një rol kyç në sulmet informatike, SHBA në përgjithësi është treguar e rezervuar në ngritjen e akuzave ose në konfirmimin se kompjuterat e qeverisë janë sulmuar.

Top Channel