“Medikus”, hetohet ish-ministri i Shëndetësisë

07/05/2013 00:00

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike Shaip Muja dhe anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së Alush Gashi përmenden nga shtypi kosovar dhe i huaj si të përfshirë në listën prej tetë personash të cilët po hetohen nga Eulex-i për veprimtarinë e klinikës Medikus.

Zyrtarët e Eulex-it zyrtarisht nuk ka bërë ende publik emrat e personave që po hetohen. Zëdhënësi i Eulex-it Blerim Krasniqi tha se nuk mund të flas për emrat të cilët po hetohen me arsyetimin se prokuroria është ende në fazën e parë të këtij procesi.

Gazeta britanike “The Independent” ka shkruar se Shaip Muja, deputet i Kuvendit të Kosovës dhe ish këshilltari për shëndetësi i kryeministrit Hashim Thaci është njëri nga tetë personat që po hetohen ne rundin e dytë të hetimeve për veprimtarinë e klinikës Medikus. Ndërsa “Koha Ditore” përmend edhe zyrtarin e LDK-së Alush Gashin i cili në cilësinë e Ministrit të Shëndetësisë kishte dhënë licensën për  doktorin turk Jusuf Sonmez për të punuar në Kosovë, ndonëse në Turqi e kishte të ndaluar.

I pyetur nga Top Channel ish-ministri i Shëndetësisë Alush Gashi tha shkurt se nuk është kontaktuar nga prokuroria e Eulex-it për këtë cështje. Ai refuzoi të flasë më gjatë. Ndërsa deputeti i Kuvendit të Kosovës Shaip Muja nuk është përgjigjur në telefon.

Pesë kosovarë u dënuan para pak ditësh për trafikim organesh dhe krim të organizuar në klinikën Medikus në mesin e tyre katër mjekë.

Shaip Muja, ish-këshilltar për shëndetësi i kryeministrit Hashim Thaci ka dëshmuar gjatë gjykimit që ai i ka takuar mjeket të cilët kanë aplikuar për licensë për të kryer transplantet, por ka mohuar të ketë pasur njohuri për ndonjë rrjet trafikimi.

Prokurori Jonathan Ratel njoftoi për procesin e ri për transplantimin e organeve në klinikën Medikus edhe ndaj tetë personave të tjerë në ditën që gjykata vendosi për dënimin e të akuzuarve të parë.

Top Channel