Shfrytëzojnë zërin, pamjen e jashtme dhe popullaritetin si trampolinë për tu hedhur në politikë apo e shohin atë si një element ekstra për të rritur famën. Gjithnjë e më shumë këngëtarët kanë nisur të angazhohen dhe të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme politike, duke e nisur fillimisht si këngëtarë në mitingje partiake.
Është ky trendi i ri i këngëtarëve në mbarë botën që po preferohet edhe nga artistët në vendin tonë, kryesisht këngëtaret femra.
Rosela Gjylbegu, këngëtarja me disa vite eksperiencë mbi supe, prej disa vitesh është punonjëse e administratës në kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë. Paralelisht me këngët dhe nxjerrjen e albumeve në tregun muzikor, Rosela shihet shpesh edhe në aktivitetet e Partisë Demokratike.
Një tjetër këngëtare është simpatizante dhe aktiviste e kësaj force politike. Prej më shumë se 3 vitesh, Ciljeta Xhilaga është pjesë e Këshillit Kombëtar të PD-së.
Emri më i ri i artistëve në skenën politike të vendit është Greta Koçi. Kryetarja e Forumit Rinor të PD-së, së fundmi edhe drejtoreshë sektori në Ministrinë e Brendshme.
Të tjera këngëtare si Bleona Qerreti dhe Soni Malaj prej shumë kohësh janë pjesë e aktiviteteve të organizuara nga Partia Demokratike, prania e të cilave u pa edhe në Konventën e Gruas së kësaj partie.
Gjatë javëve të fundit, në sitet e ndryshme të lajmeve rozë u fol për një emërim të mundshëm të këngëtares Anjeza Shahini si specialiste në Drejtorinë e Librit në Ministrinë e Kulturës.
Në kampin socialist, prania e këngëtareve në politikë nuk është kaq e madhe. Në grevën e urisë që Partia Socialiste organizoi tre vite më parë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, këngëtarja Elsa Lila udhëtoi nga Italia, ku jeton prej shumë vitesh, për të qenë pjesë e grevës.
Ditët e fundit u fol edhe për këngëtaren Besa Kokëdhima si kandidate e mundshme për deputete e PS-së.
Edhe përtej kufijve këngëtarët shqiptarë nuk rrinë dot larg politikës. Kosovarja Adelina Ismajli do të këndojë në përvjetorin e 23-të të themelimit të Forumit të Gruas të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Adelina njihet si mbështetëse e presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Top Channel