Korea e Veriut bën një hap pas?

07/05/2013 05:00

Korea e Veriut ka lëvizur nga raketa me rreze të mesme nga vendi i lëshimit në bregun lindor, duke dhënë një sinjal të uljes së tensionit në gadishullin korean, bëri të ditur një zyrtar amerikan.

Penjani, siç u raportua, kishte bërë përgatitjet për lëshimin e një rakete gjatë muajit të kaluar, duke kërcënuar me sulme ndaj objektivave specifike në Korenë e Jugut, Japoni dhe bazat amerikane në rajon.

Kërcënimet u pasuan nga sanksione të reja të OKB-së kundër Koresë së Veriut në mars, pas testimit të tretë bërthamor të tyre.

Penjani u irritua gjithashtu edhe nga stërvitjet e përbashkëta ushtarake vjetore mes SHBA-ve dhe Koresë së Jugut, të cilët përfunduan vetëm 1 javë më parë.

SHBA-të dërguan bombardues bërthamorë B2 dhe B52 në Korenë e Jugut, si pjesë e stërvitjeve, si dhe një anije luftarake me sisteme mbrojtjeje ndaj raketave në rajon.

Një seri e re stërvitjeje të përbashkët kundër nëndetëseve nisi të dielën dhe do të zgjasë deri të premten e ardhshme, raportoi agjencia e lajmeve koreano-jugore, Yonhap.

Raketat Musudan kanë qenë gati për lëshim në çdo moment, por Korea e Veriut i ka “larguar tashmë” ato, bëri të ditur një zyrtar i mbrojtjes amerikane për agjencinë e lajmeve AFP.

Kjo lëvizje është shenja më e prekshme, që Korea e Veriut ka bërë një hap pas nga kërcënimet për lëshimin e raketave. Por, një zyrtar amerikan nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare, duke ditur paparashikueshmërinë e sjelljeve të Veriut, paralajmëroi se “është ende herët për të festuar këtë lëvizje si një lajm të mirë”, ndërsa zëdhënësi i Pentagonit, George Little, i cili refuzoi të komentonte menjëherë pas këtij veprimi, tha për reporterët se “ajo që kemi parë së fundi është një pushim provokues”.

Top Channel