
“Kam frikë të kthehem në Itali”. Me këto fjalë Amanda Knox tregon se nuk
ka dëshirë të përballet sërish me procesin për vrasjen e studentes
britanike Meredith Kercher.
Në intervistën televizive të radhës, këtë herë për CNN, vajza nga Siatëlli kritikon ashpër sistemin gjyqësor italian, duke e cilësuar atë si një fabrikë akuzash “absurde”.
Gjithashtu, ajo është shprehur e irrituar edhe me një pjesë të opinionit publik italian, të cilin e percepton si armiqësor ndaj saj.
“Në Itali njerëzit mendojnë se unë jam arrogante, ngaqë jam këtu në Shtetet e Bashkuara dhe po prezantoj librin tim për t’u mbrojtur. Kjo më duket tërësisht e padrejtë, sepse unë kam të drejtë të mbrohem dhe askush nuk mund të më kërkojë që të hesht. Por në të njëjtën kohë dua t’u provoj italianëve që mua nuk më intereson ajo që po ndodh tani”, ka thënë Knox.
Në pritje që të qartësojë se çfarë do të bëjë në të ardhmen, Amanda rithekson se me vdekjen e Meredith nuk ka asnjë lidhje dhe sulmon ashpër prokurorinë italiane.
“Është e pabesueshme që pavarësisht mungesës së provave që të tregojnë përfshirjen time në vrasje, unë duhet të jem sërish në gjykim në bazë të hipotezave jorealiste e të pabaza”, ka thënë studentja amerikane.
E shpallur fajtore bashkë me të dashurin italian Raffaele Sollecito në shkallën e parë për vrasjen e Kercher, të dy u shfajësuan në apel, ndërsa tani janë në pritje të rigjykimit pas vendimit të Gjykatës së Kasacionit për rihapjen e procesit.
Top Channel