Qeveria me bazë të gjerë e kryesuar nga Enrico Letta ka filluar të
përballojë krisjet e para që këtë herë kanë të bëjnë me emigrantët.
Ministrja për Integrimin Cecile Kyenge deklaroi se brenda javëve të ardhshme do të paraqesë një dekret ligj mbi të ashtëquajturin ‘ius soli’, të drejtën juridike për të qenë nënshtetas të vendit ku lind. Aktualisht në Itali vlen e drejta e nënshtetësisë sipas prejardhjes së prindërve, gjë që penalizon shumë fëmijët e emigrantëve, të lindur e të rritur në Itali.
Ministrja me origjinë kongoleze, e cila po përballet edhe me disa sulme shumë të ulëta raciste, ka bërë të ditur se për të aprovuar një ligj të tillë duhet punuar pozitivisht duke u mbështetur tek dialogu dhe se një gjë të tillë tanimë e kërkon shoqëria italiane”.
Ajo propozoi që si figura e futbollistiti Mario Ballottelli do të ishte ideale për promovimin e kësaj të drejte. Nga ana e tij sulmuesi i Milanit u tregua menjëherë i gatshëm.Por ministrja Kyenge, e para ministre me ngjyrë në historinë e republikës italiane, është pjesë e një qeverie ku janë të pranishme forca politike të djathta që nuk lëshojnë pe mbi këtë pikë.
Si nga Lidhja e Veriut ashtu edhe nga partia e Berlusconit ngrihen zëra kundër qëndrimit të ministres. I kërkohet kryeministrit Enrico Letta që të frenojë në këtë drejtim sepse këto tema nuk janë pjesë e programit të qeverisë.Prej kohësh në Itali po debatohet mbi reformimin e ligjit për dhënien e shtetësisë italiane. Një prej përkrahësve më të zjarrtë është presidenti i Republikes, Giorgio Napolitano i cili nuk lë rast pa përmendur se “fëmijet e emigrantëve janë italiane ne jeten e perditshme, ne ndjenjat dhe identitetin e tyre”.
Top Channel