Bilanci i viktimave të shembjes së ndërtesës 8-katëshe në afërsi të
kryeqytetit të Bangladeshit, Dhaka, ka kaluar 700-ën, bëjnë të ditur
autoritetet lokale.
Njoftimi vjen pasi punëtorët nxorrën shumë trupa të tjerë nga rrënojat, ndërkohë që shumë të tjerë konsiderohen ende të zhdukur. Deri tani, nëntë persona, mes të cilëve pronari i ndërtesës, janë arrestuar.
Shembja e godinës, e njohur si Rana Plaza, më 24 prill mbahet si incidenti më i rëndë industrial i Bangladeshit dhe ka shkaktuar irritimin e punëtorëve në mbarë vendin.
Ndër incidentet e ngjashme më fatale të kohëve moderne, me përjashtim të sulmeve të 11 shtatorit në Nju Jork, ka qenë ai i godinës Sampoong në Seul të Koresë së Jugut në vitin 1995, ku 502 persona humbën jetën.
Aktualisht, numri i viktimave në Dhaka është 705, ndërsa 2500 të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe 2437 të shpëtuar.
Të dhënat e fundit vijnë pasi një numër i madh punëtorësh që i mbijetuan shembjes protestuan duke bllokuar rrugën pranë vendit të ngjarjes, duke kërkuar dhënien e pagave dhe përfitimeve.
Raportohet se shumë prej tyre punonin në fabrikat e veshjeve të ambjentuara ilegalisht në ndërtesën e shembur.
Bangladeshi ka një ndër industritë e veshjeve më të mëdha në botë dhe shumë prej rrobave të prodhuara në ndërtesë ishin bërë për shitësit Perëndimorë.
Bashkimi Evropian ka deklaruar se po konsideron seriozisht ndërmarrjen e një aksioni për të inkurajuar përmirësimin e kushteve të punës në fabrikat e vendit.
Top Channel