Delegacioni i Republikës së Kosovës është nisur për në Bruksel për të
zhvilluar takimin e radhës për planin e zbatimit të Marrëveshjes për
normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Republikës së Kosovës
dhe Serbisë.

Sipas një komunikate për shtyp, Delegacioni i Kosovës shkon me qëllimin për të arritur marrëveshjen për zbatim, duke përfshirë çështjet e implementimit dhe përcaktimin e afateve kohore, faktorët zbatues dhe çështjet konkrete.

“Ne theksojmë nevojën që marrëveshja të implementohet sa më shpejtë, në mënyrën e paraparë në marrëveshje, për çka pala kosovare është e gatshme dhe pret një gatishmëri të tillë edhe nga pala serbe dhe faktorët ndërkombëtarë, si KFOR-i dhe EULEX-i”, theksoi Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi, para nisjes.

Delegacioni i Kosovës kryesohet nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, në të cilin marrin pjesë edhe koordinatori për bisedime, Blerim Shala, Kryeprokurori i Shtetit, Ismet Kabashi, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci dhe Drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.

Top Channel