Numri dy në qeverinë e Serbisë, zëvendëskryeministri Alleksandar Vuçiç, do të vizitojë Kosovën. Në përpjekje për të kuptuar serbët e Kosovës dhe për të arritur kompromis me ta, Vuçiç do të takojë liderët e veriut dhe të jugut.

Mediat flasin për sigurinë e tij në Kosovë, duke pasur parasysh që serbët e kanë kundërshtuar marrëveshjen me Kosovën, ndërkohë që Kisha ka dërguar porosi se Kosova nuk mund të jetë e pavarur dhe marrëveshja duhet refuzuar.

Vuçiç ka porositur disa pjesëtarë të Kishës që të marrin pjesë në zgjedhje nëse duan të udhëheqin shtetin, por deri atëherë, kjo nuk ka për të ndodhur.

“Ne duam të tregojmë se fuqia jonë nuk është tek forca që mund të përdorim, por tek fakti që ne duam t’i dëgjojmë të gjithë dhe t’i bindim njerëzit që kjo është e vetmja zgjidhje që sjell një të ardhme ndryshe për qytetarët e Serbisë dhe progres për vendin tonë“, ka thënë Vuçiç.

Ndërkohë, ende nuk është bërë e ditur nëse numri dy i qeverisë serbe do të sigurohet nga Policia e Kosovës.

Top Channel