Kinë, vizitë e Netanyahu dhe Abbas

06/05/2013 16:00

Presidenti i Autoritetet Palestinez, Mahmoud Abbas dhe Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ndodhen të dy në Kinë për bisedime me zyrtarët më të lartë të vendit aziatik.

Vizita e liderave të dy shteteve të përfshira në një konflikt që vazhdon prej dekadash, ndonëse e ndarë, ka tërhequr shumë vëmendje mediatike, pasi për herë të parë Pekini duket se shndërrohet në një aktor të parë ndërmjetësues në këtë çështje të nxehtë.

Në deklaratën e tij, Abbas, i cili u takua me presidentin Xi Jinping ditën e hënë në Pekin, informoi se ka si qëllim të shpjegojë personalisht se cilat janë pengesat që kanë shkaktuar ngecjen e bisedimeve me Tel Avivin për arritjen përfundimtare të paqes.

Netanyahu, i cili fillimisht vizitoi Shanghain, e do të zhvendoset në Pekin më vonë gjatë javës, ka në fokusin e vizitës së tij nënshkrimin e marrëveshjeve tregtare dhe problemin iranian. Netanyahu dhe Abbas kanë përjashtuar një takim midis tyre, gjatë kohës që do të ndodhen në Kinë.

Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme Kineze deklaroi se institucioni që ai përfaqëson do të ishte i gatshëm që të organizonte një takim Abbas-Netanyahu, por duket se të dy liderat janë treguar të kujdesshëm për të shmangur këtë mundësi, duke mos u ndeshur në asnjë moment në Pekin apo një qytet tjetër gjatë këtyre vizitave zyrtare.

Top Channel