Naser Kelmendi, i cili konsiderohet si një prej bosëve më të mëdhenj të drogës në Ballkan dhe Europë, është arrestuar nga policia e Kosovës. Arrestimi i Kelmendit është bërë mbrëmjen e së dielës në kryqytetin kosovar.

I njohur si bos i narkotikëve, Kelmendi tani ndodhet në qendrën e paraburgimit. Megjithëse policia nuk e konfirmon se në cilën qendër ndodhet i shumëkërkuari i Interpolit, dyshohet se ai është duke u mbajtur në qendren e paraburgimit në Prishtinë.

Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, konfirmon arrestimin dy personave, atë të Kelmendit, i cili është arrestuar në bazë të fletë-arrestit ndërkombëtar, ndërkohë që i arrestuari i dytë thuhet të jetë arrestuar nën dyshimin e bazuar “për ndihmë ndaj personit të kërkuar”.

Tani për tani mbetet e paqarte nëse do të mundësohet ekstradimi i tij në Bosnjë dhe Hercegovinë, shtet i cili ka vite që kërkon kapjen e tij.

Pasi Kosova nuk njihet nga ky shtet dhe nuk ka asnjë marrëveshje ekstradimi, mbetet të shihet se çfarë do të vendoset në ditët në vijim, nëse Kelmendi do të gjykohet në Kosovë, apo do të mundësohet dërgimi i tij në Bosnjë, apo në shtetet e tjera fqinje.

Naser Kelmendi, 55-vjeç, qytetar i Kosovës, i lindur në Bosnjë dhe Hercegovinë, dyshohet se ka udhëhequr njërën nga familjet më të forta kriminale shqiptare në Ballkan.

Ka kohë që ai është i dyshuar për drejtimin e një organizate të madhe që merret me trafikimin e heroinës, kokainës dhe anhidridit acetik, një lëndë e parë që përdoret në prodhimin e heroinës dhe në Evropë transportohet nëpërmjet Ballkanit.

Naser Kelmendi, djemtë e tij Elvisi, Liridoni dhe Besniku, si dhe vëllai i tij Beqiri, dyshohen se zotërojnë një numër të madh biznesesh në Bosnjë, Mal të Zi, Serbi dhe Kosovë, duke përfshirë hotele dhe një kompani kamionësh.

Top Channel