Lufta me zjarret në Kaliforni

05/05/2013 17:50

Erërat e ftohta nga Paqësori kanë ndihmuar frenimin e përhapjes së
zjarreve, që kërcënonin me mijëra shtëpi në jug të Kalifornisë.

Zyrtarët vendas thonë se një rrymë e ftohtë zëvendësoi erërat e thata e të nxehta, duke fashitur aktivitetin e zjarrit.

Një lajm i mirë për të gjitha skuadrat e zjarrëfikësve në terren, të angazhuar në një betejë të ashpër me flakët në veri-perëndim të Los Angeles-it.

I ashtuquajturi “zjarr pranveror” nuk dëmtoi më shumë se 15 prona private, por kërcënonte me mijëra të tjera. Deri tani nuk ka pasur raporte për të lënduar.

Mbahen zgjedhjet në Malajzi
Procesi i parë demokratik në periudhën post-koloniale

Malajzia mbajti të parat zgjedhje post-koloniale, të cilat përfaqësojnë edhe sfidën më të hapur ndaj regjimit të vjetër dhjetra-vjeçar të vendit.

Qendrat e votimit u mbyllën në pesë, me orën lokale.

Miliona malajzianë hodhën votën e tyre dhe rezultatet e para pritet të bëhen publik pas vetëm disa orësh.

Një sondazh, i qendrës së anketimeve Merkeda, vendos në krye, me një diferencë të ngushtë votash, aleancën e tre partive të opozitës, që mendohet se do të sigurojë një epërsi prej vetëm 1 përqind, ndaj koalicionit në pushtet Fronti Kombëtar i kryeministrit Naxhib Razak.

Varrimi i atentatorit të Bostonit
Prej dy javësh në morg, varrezat nuk i japin vend

Prej gati dy javësh, trupi i Tamerlan Tsarnaev-it ka qëndruar në morg, pa u kërkuar nga askush.

Tani, më në fund, një agjenci funerale pranoi të merret me të, në mënyrë që edhe të dyshuarit kryesor, për sulmet në Maratonën e Bostonit, t’i jepet në Massachusetts një vend i prehjes së përjetshme.

Por, më parë trupi duhet t’i nënshtrohet një autopsie të dytë, të pretenduar këtë herë nga familjarët e 26-vjeçarit.

Përpos kësaj, ka edhe vështiresi të tjera, përpara se të diskutohet për ceremoninë e varrimit.

Çertifikata e tij e vdekjes nuk është plotësuar, ndërsa tre varreza të kontaktuara nga agjencia e shërbimeve funerale nuk kanë pranuar të hapin një vend për të, nga frika se mos vihen në shënjestër të urrejtjes publike.

Top Channel