Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, vizitoi të dielën Manastirin e Deçanit, për festën e Pashkëve Ortodokse.

Në një komunikatë të zyrës së Presidencës thuhet se presidentja Jahjaga, e shoqëruar nga zëvendëskryeministri, Sllobodan Petroviq, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, dhe komandanti i KFOR-it, Volker Halbauer, u pritën në Manastirin e Deçanit nga Igumani Sava Janjiç dhe murgjit në këtë objekt fetar.

Presidentja Jahjaga e uroi Igumanin Janjiç dhe të gjithë besimtarët ortodoksë për festën e Pashkëve dhe tha se toleranca fetare në Kosovë është vlera më e madhe e shoqërisë në vend.

“Erdhëm këtu sot, në Manastirin e Deçanit, që t’u uroj të gjithë besimtarëve ortodoksë festën e Pashkëve. Toleranca ndërfetare ka qenë dhe vazhdon të jetë një ndër vlerat më të rëndësishme të shtetit tonë, të Republikës së Kosovës. Sepse, ne jemi duke ndërtuar suksesshëm një shtet gjithëpërfshirës, një shtet demokratik, ku të gjitha komunitetet dhe secili individ, në mënyrë të barabartë, i realizon dhe i gëzon të drejtat e veta”, citohet presidentja kosovare, Atifete Jahjaga.

Top Channel