SHBA, panairi vjetor i armëve

04/05/2013 00:00

Presidenti i ardhshëm i Shoqatës Kombëtare të Armëve në SHBA u ka thënë pjesëmarrësve në një konferencë për shtyp se ata janë luftëtarë të një “kulture lufte”.

James Porter, që do të marrë detyrën ditën e hënë, e bëri apelin e tij në takimin vjetor të SHKA në Teksas, ku ekspozohen armë të kalibrave të ndryshëm, përfshirë ato automatike.

Dhjetëra mijëra persona pritet të marrin pjesë në këtë eveniment, që mbahet pak javë pasi SHKA ndihmoi në pengimin e ligjit për kontrollin e armëve.
Ndërkohë, grupet për kontrollin e armëve planifikojnë të mbajnë në të njëjtën kohë kundër-protesta në Hjuston.

“Kjo nuk është një betejë për të drejtat e armëve, kjo është një kulturë lufte. Ju që jeni mbledhur këtu jeni luftëtarë të lirisë. Ne jemi mbrojtësit e lirisë”, deklaroi zoti Porter të premten.

Rreth 70 mijë persona pritet të marrin pjesë në këtë panair, për të parë produktet e reja të prodhuesve të armëve dhe për të mbështetur ekspeditat e gjuetisë në mbarë botën.

Në këtë eveniment, shefi ekzekutiv i SHKA-së, Wayne LaPierre tha për turmën e mbledhur se politikanët dhe media kanë mashtruar vazhdimisht opinionin publik për organizatën e tyre.

“Anëtarët e SHKA-së i kanë parë në sy politikanët elitarë që lobojnë kundër armëve dhe i kanë detyruar ata të tërhiqen”, deklaroi LaPierre para turmës së entuziazmuar.

Ndërsa guvernatori i Teksasit, Rick Perry u ngjit në podium dhe falenderoi senatorët e këtij shteti, John Cornyn dhe Ted Cruz që kanë luftuar kundër lobit të anti-armëve dhe ndryshimit të amendamentit të dytë të Kushtetutës së SHBA, që parashikon lirinë e armëmbajtjes.

Top Channel