Portugalia shkurton 30 mijë vende pune

04/05/2013 00:50

Portugalia ka planifikuar të shkurtojë 30 mijë vende pune në sektorin e shërbimit civil, si dhe të rrisë moshën e daljes në pension me 1 vit, duke e çuar në 66, në përpjekje për të plotësuar kushtet për dorëzaninë.

Kryeministri Pedro Passos Coelho tha se shërbyesve civilë do t’u kërkohet gjithashtu të punojnë 40 orë në javë, në vend të 35 orëve aktualisht.

Propozimet, që mund të aplikohen me shumë mundësi duke nisur nga viti i ardhshëm, do të mund të kursejë 4,8 miliardë euro për 3 vite, tha ai. Masat shtrënguese nuk kanë fituar aspak popullaritet në vend, përkundrazi kanë shkaktuar protesta masive.

“Me këto masa, parnerët tanë europianë nuk do të mund të dyshojnë në angazhimin tonë për dorëzaninë”, tha Coelho, gjatë një fjalimi para kombit, mbrëmjen e së premtes. “Nëse hezitojmë tani, mund të dëmtojmë besueshmërinë, që kemi fituar tashmë”, shtoi ai.

Portugalia mori 78 miliardë euro dorëzani nga Bashkimi Europian, Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në 2011-n. Papunësia është rreth 18%, një rekord për vendin andaluzian, ndërsa ekonomia pritet të tkurret për të tretin vit radhazi në 2013-n.

Muajin e kaluar, Gjykata Kushtetuese e Portugalisë refuzoi më shumë se 1 miliardë euro shkurtime të propozuara, të cilat përfshinin pezullimin e bonuseve të ditëve të pushimit, për punonjësit e sektorit publik dhe pensionistët.

Ky veprim detyroi qeverinë e qendrës së djathtë të kërkonte gjetkë se nga ku mund të kursente parà, por duke përjashtuar rritjen e taksave.

“Ne nuk do të rrisim taksat për të korigjuar problemet buxhetore, të shkaktuara prej vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, tha Coelho. “Rrugëzgjidhja mund të gjendet përmes reduktimit strukturor të shpenzimeve publike”.

Partia kryesore opozitare në Portugali, ajo Socialiste, akuzoi Coelho-n se ka ndërmarrë masa shtrënguese të jashtëzakonshme në Portugali, në ndjekje të një plani të nxitur ideologjikisht.

Top Channel