Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Beograd, Michael Kirby ka deklaruar se me njohjet që gëzon, Kosova duhet të jetë anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Këtë deklaratë Kirby e ka bërë në një intervistë për gazetën e përjavshme serbe, “NIN”, ku i është përgjigjur interesit të gazetarit.

“Ju nuk e njihni pavarësinë e Kosovës dhe mendoni se shteti që nuk është i pavarur nuk duhet të ketë ulëse në OKB. Kështu që mendoj se ne do vazhdojmë të mos pajtohemi për këtë çështje”, ka thënë Kirby.

Ndër të tjera, diplomati amerikan është shprehur optimist se marrëveshja Prishtinë-Beograd e arritur në Bruksel do të gjejë zbatim në terren, pavarësisht vështirësive.

“Jam optimist dhe shpresoj se marrëveshja do të funksionojë. Ka disa gjëra praktike që duhen përpunuar, si për shembull policia. Aktualisht, me sa di unë, shumë policë kanë rroga të dyfishta: një nga Prishtina e një nga Beogradi.

A do të jenë të lumtur me vetëm një rrogë? Nuk e di për ju, por nëse mua më zvogëlohet rroga, do të isha i pakënaqur. Ndoshta disa do të vendosin të transferohen në stacionin tjetër policor në Serbi.

Po ashtu, momentalisht nuk ekziston asnjë mekanizëm për mbledhjen e parave, asgjë nuk shkon në buxhet sipas ligjit dhe askush nuk paguan asgjë”, ka thënë Kirby.

Ai ka shtuar më tej se qëllimi kryesor i Shteteve të Bashkuara në Ballkan është paqja dhe stabiliteti i këtij rajoni, i cili sipas tij mund të arrihet përmes negociatave, të cilat do të kenë gjithmonë mbështetjen e Uashingtonit.

Top Channel