Afganistan, vriten 7 ushtarë të NATO-s

04/05/2013 00:00

Një sasi e konsiderueshme eksplozivi e vendosur në anë të rrugës vrau pesë ushtarë amerikanë të NATO-s në një krahinë jugore në Afganistan.

Bomba shpërtheu në momentin kur po kalonte autokolona me ushtarë amerikanë të misionit ISAF. Ky i fundit njoftoi për një tjetër sulm ndaj trupave ndërkombëtare, këtë herë në një provincë perëndimore, ku dy ushtarë të huaj mësohet se kanë gjetur vdekjen pasi janë qëlluar nga kolegu i tyre afgan.

Pak ditë më parë, tre ushtarë britanikë gjetën vdekjen nga një sulm i ngjashëm në provincën e Helmandit.

Sulmet ndodhin në një moment kur NATO po i kalon kompetencat e sigurisë në duart e forcave vendase. Madje në disa prej provincave, të ashtuquajtura të qeta, ku sulmet dhe aktiviteti i militantëve talebanë është me intensitet të ulët, siguria ka kaluar plotësisht në duart e policisë dhe ushtrisë vendase.

100 mijë trupa të Aleancës ndodhen ende në Afganistan që funksionojnë në kuadër të ISAF-it. Sipas planit, tërheqja përfundimtare e tyre pritet të ndodhë në fund të 2014-ës.

Top Channel