Shkalla e vetëvrasjeve mes amerikanëve të grupmoshës së dytë është rritur me 28% brenda një dekade, bën të ditur një raport nga Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC).
Mes të rriturve të grupmoshës 35-64 vjeç, popullsia e bardhë dhe ajo e indiano-amerikane ka parë rritjen më të mprehtë mes viteve 1999-2010.
CDC nuk ka hetuar shkaqet e këtij trendi në rritje, por ka theksuar se shumë programe, për parandalimin e vetëvrasjeve, janë drejtuar kryesisht drejt të rinjve dhe të moshuarve. Raporti tregonte se nuk kishte ndryshime mes grupmoshave të tjera.
Që nga 2009-a, vetëvrasjet kanë marrë më shumë jetë amerikanësh, se sa aksidentet rrugore. Ka patur 38,350 vetëvrasje në 2010-n, duke e renditur këtë veprim si të 10-tin në rang kombëtar për shkaktimin e vdekjeve, thuhej në raportin e CDC.
Njerëzit e grupmoshës 35-64 llogariten të kenë shkaktuar rreth 57% të vetëvrasjeve në SHBA, sipas këtyre të dhënave.
Në përgjithësi, shkalla e vetëvrasjeve mes amerikanëve të kësaj grupmoshe është rritur nga afro 14 për 100 mijë banorë, në 1999, në gati 18 të tillë në 2010, raporton CDC.
Mes indiano-amerikanëve, vetëvrasjet janë rritur me 65%, nga 11 për 100 mijë banorë, në 19 të tillë, për të njëjtën periudhë studimi. Ndërsa për njerëzit e bardhë, kjo shifër është rritur me 40%, nga 16 për 100 mijë banorë, në 22 të tillë.
Ekspertët janë të pasigurt në lidhje me shkaktarët e kësaj rritjeje, që realisht është në disproporcion mes banorëve me kombësi amerikane dhe personave të bardhë, gjatë një periudhe në të cilën u shtri recesioni.
Rritja më e madhe e vetëvrasjeve, në këtë studim, ka qenë mes grupmoshave 50-64 vjeç, duke përfshirë këtu të gjitha etnitë.
Top Channel