Siria për armët kimike

03/05/2013 00:45

Pas deklaratës së presidentit amerikan, Barak Obama; se ekzistojnë të dhënat për përdorimin e armëve kimike në Siri; në Damask, ministri i Informacionit, Omran Al Zubi, në një intervistë ekskluzive për CNN, tha se “armët kimike përbëjnë vijën e kuqe edhe për qeverinë siriane”.

Ai shpjegoi se kanë qenë grupet militante, që kanë përdorur të tilla armë gjatë luftës civile. Qeveria, sipas tij, kurrë nuk do ta bëjë këtë.

Duke iu referuar deklaratës së Obamës, Al Zubi tha se “ajo përkon me presidentin Bashar Al Asad, i cili mendon se armët kimike përbëjnë vijën e kuqe edhe për vet Sirinë”.

Media siriane ka shtuar raportimet e saj se “janë terroristët, që i kanë përdorur armët kimike dhe më pas fajësojnë për këtë qeverinë”. Një zyrtar, i cituar nga agjencia siriane e lajmeve, tha të enjten se “terroristët u kanë hedhur banorëve një lloj pudre në Idlib, për të akuzuar më pas ushtrinë se po përdor armë kimike”.

Siria ka mohuar përdorimin e armëve kimike, por, për Perëndimin, ato ekzistojnë. Administrata Obama ka mbështetur kryengritësit në Siri, por ajo që e ndërlikon çështjen është se shumë prej tyre janë militantë islamik të lidhur me Al Kaedën,  ndoshta të njëjtët, me të cilët SHBA është përballur në Irak dhe Afganistan.

Mes tyre është edhe Fronti Al Nusra apo Xhabhat Al Nusra, një grup kryengritës, që -sipas Al Zubit – ka përdorur armë kimike. “Nëse Shtetet e Bashkuara duan ta provojnë, të na tregojnë faktet. Këto armë kanë ardhur në Siri nga Tuqia. Kjo nuk është akuzë politike, por e provuar. Xhabhat Al Nusra ka deklaruar se kjo është e vërteta dhe ka video, që e vërtetojnë këtë”.

Top Channel