Shkatërrohet simboli kombëtar i Sirisë

03/05/2013 08:50

Një urë e shndërruar në simbolin kombëtar të Sirisë u shkatërrua ditën e premte, informuan mediat ndërkombëtare.

Sipas të dhënave, ura e varur në Deir Ezor, mbi lumin Eufrat, u shkatërrua plotësisht pas bombardimit të avionëve të ushtrisë së rregullt siriane.

Duket se qëllimi i aviacionit të presidentit Bashar al-Assad ishte dëmtimi i rrugëve të komunikimit të kryengritësve, diçka për të cilën nuk u kursye as ura historike.

E ndërtuar në vitin 1927 nga inxhinjerë francezë, kur vendi ishte koloni e Francës, ura në fjalë ishte bërë aq e famshme, sa figuronte edhe në një prerje të kartmonedhës siriane.

Pas mbi dy vitesh luftime në Siri, situata humanitare përkeqësohet dita-ditës, ndërsa palët ndërluftuese ndodhen në një barazpeshë të plotë ushtarake, që bën të pamundur të mendohet një fitore e shpejtë e secilit krah.

Sipas vlerësimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara mbi 70 mijë persona kanë humbur jetën në luftime, por të dhëna të pakonfirmuara të organizatave të tjera humanitare e ngrenë bilancin tragjik deri në 120 mijë të vrarë, gati gjysma prej të cilëve civilë.

Top Channel