Pakistan, vritet prokurori i çështjes “Bhutto”

03/05/2013 16:25

Persona të armatosur kanë qëlluar për vdekje prokurorin që po heton vrasjen e ish-lideres pakistaneze Benazir Bhutto, që u vra në një atentat në vitin 2007.

Policia lokale njoftoi se Chaudhry Zulfiqar Ali ra në një pritë teksa po udhëtonte me makinën e tij nga Islamabadi për në gjykatën e Raualpindit, ku do të mbahej një seancë pikërisht për çështjen “Bhutto”.

Policia nuk ka spekuluar për motivin e vrasjes. Zulfiqar ishte gjithashtu në krye të hetimeve të një çështjeje të lidhur me sulmet e Mumbait në vitin 2008 në Indi.

Ish-presidenti pakistanez Pervez Musharraf është akuzuar se kishte dështuar në garantimin e sigurisë për zonjën Bhutto në kohën e vrasjes së saj.

Musharraf, që së fundmi është kthyer në Pakistan pas një jetese jashtë vendit dhe ndodhet në arrest shtëpie, i hedh poshtë akuzat në fjalë.

Askush nuk është dënuar për vdekjen e zonjës Bhutto, që ndodhi vetëm pak ditë pasi ajo ishte kthyer në vendlindje pas një mërgimi të gjatë në Londër.

Policia tha se prokurori po udhëtonte drejt gjykatës së anti-terrorizmit në Raualpindi, kur papritur ra në breshërinë e armëve të zjarrit.

Atentatorët që ndodheshin në bordin e një motorçiklete qëlluan si të çmendur ndaj makinës dhe plagosën rëndë hetuesin, i cili ndërroi jetë në spital.

Një zëdhënës i spitalit tha se Chaudhry Zulfiqar ishte qëlluar nga më shumë se 7 plumba përpara dhe në pjesën anësore të tij, plus një plumb në kokë.

Top Channel