Boston, trupi i Tsarnaevit merret nga familja

03/05/2013 02:15

Trupi i viktimës së dyshuar për atentatin e Bostonit, Tamerlan Tsarnaev, është kërkuar nga familja e tij, bëjnë të ditur autoritetet amerikane. Një zëdhënës i Departamentit për Sigurinë Publike të Massachusetts-it konfirmoi se një kompani funerali ruse, e prenotuar nga familja e tij, mori trupin e tij, gjatë ditës së enjte.

Tsarnaev, 26 vjeç, mbeti i vrarë në shkëmbimin e zjarrit me policinë, disa ditë pas shpërthimeve të maratonës. Ekzaminuesit ligjorë thanë se shkaku i vdekjes së tij është përcaktuar, por informacioni nuk do të bëhet publik deri sa të plotësohet çertifikata e vdekjes së tij. Mbetet ende e paqartë, nëse ky proces është kryer gjatë mbrëmjes së të enjtes.

Xhaxhai i Tsarnaev-it, Ruslan Tsarni, i cili jeton në Amerikë, në shtetin e Maryland, kishte thënë edhe më parë se familja e tij duhej ta merrte trupin e nipit të tij. Atentati i 15 prillit pranë vijës së finish-it në Maratonën e Bostonit la të vdekur 3 persona dhe të plagosur mbi 260 të tjerë.

E veja e të dyshuarit, Katherine Russel, dha pëlqimin e saj ditën e mërkurë, që trupi t’i jepej familjes së tij.

Tsarnaev vdiq nga një shkëmbim zjarri me policinë, gjatë të cilit ai u “shtyp” nga vëllai i tij i vogël, teksa u largua nga vendngjarja me një automjet, tha policia. 19-vjeçari, Dzhokhar Tsarnaev, u kap më pas i gjallë dhe pritet të përballet me dënimin me vdekje, nëse shpallet fajtor për rolin e tij në atentatin me bomba.

Tre prej shokëve të kolegjit të Dzhokhar-it janë akuzuar për pengimin e hetimeve policore ndaj sulmit, teksa dy prej tyre janë shfaqur përpara trupës gjykuese, ditën e mërkurë.

Asnjë prej të treve nuk është i implikuar në planifikimin e sulmit, por policia tha se Azamat Tazhayakov dhe Dias Kadyrbayev, të dy nga Kazakistani, akuzohen për hedhjen e laptopit të Dzhokhar Tsarnaev dhe çantës së shpinës, që ai mbante, kur kuptuan se ai ishte i dyshuar për atentatin.

Ndërsa Robel Phillipos akuzohet se ka gënjyer hetuesit. FBI largoi gjithashtu provat, përfshi gjurmë ADN-je, nga shtëpia e prindërve të vejushës Russell, ku ajo ka qëndruar pas vdekjes së të shoqit.

Avokatët e saj thanë se ajo po bënte gjithçka mundej për të ndihmuar hetimet. Çifti jetonte së bashku me vajzën e tyre të vogël, në një apartament në Cambridge, Massachusetts. Policia tha se kishte gjetur materiale bombash në rezidencën e tyre.

Por, avokatët e saj deklaruan se ajo nuk kishte shumë dijeni mbi aktivitetin e burrit të saj, sepse kalonte më shumë kohë jashtë shtëpisë, duke punuar si ndihmëse shëndetësore, ndërkohë që i shoqi kujdesej për fëmijën.

Tsarnaev kishte për objektiv sulmet më 4 korrik

I
dyshuari i parë i atentatit të Bostonit, Tamerlan Tsarnaev, kishte
planifikuar fillimisht të sulmonte gjatë festimeve të Ditës së
Pavarësisë, më 4 korrik, raportojnë mediat amerikane.

Por, fakti
që arritën të ndërtonin bombat më herët nga sa e kishin parashikuar,
pikërisht në shtëpinë e vjetër të Tamerlanit dhe të shoqes së tij, bëri
që ai, së bashku me të vëllanë, të sulmonin në Maratonën e Bostonit,
është cituar të ketë thënë një zyrtar anonim.

Është ende e
paqartë, nëse ata kishin shënjestruar ndonjë shfaqje specifike, por
Bostoni mbahet për organizimin e festimeve më madhore të 4 korrikut, një
festë e përvitshme.

Top Channel