I nisur më 15 janar të këtij viti, proçesi i brendshëm zgjedhor në AAK po shkon drejt finalizimit. Ditën e shtunë do të mbahet kuvendi i gjashtë zgjedhor i kësaj partie, ku do të zgjedhën strukturat e reja udhëheqëse të saj.

Sipas raportimeve të “RTK”, në struktura të caktuara mund të zgjidhen elementë të rinj, por kryetari do të mbetet i njëjti, pasi Ramush Haradinaj nuk ka rivalë në këtë garë.

Ernest Luma, zëdhënës i AAK-së, deklaroi se janë bërë të gjitha përgatitjet, ndërsa vlerësoi se proçesi ka qenë demokratik në të gjitha degët. Madje, ai tha se Haradinaj është i hapur për të pasur rivalë.

“Deri më tani nuk ka rivalë ndaj Haradinajt, edhe pse ka qenë dhe vazhdon ende të jetë i hapur vullneti i tij për të pasur kundërkandidat dhe për t’u sfiduar në mënyrën më demokratike të mundshme”, tha Luma.

Në proçesin e brendshëm zgjedhor të AAK-së, sipas zyrtarëve të kësaj partie, kanë marrë pjesë rreth 90 mijë anëtarë në më shumë se 30 degë. Ndërsa në kuvendin që do të mbahet të shtunën pritet të marrin pjesë rreth 500 delegatë.

Top Channel